Nuk ndalet vala e shkarkimeve në administratën Trump

16/03/2018 09:16

Vala e shkarkimeve të bujshme në Uashington duket se nuk ka përfunduar.

Donald Trump është i vendosur, sipas raporteve më të fundit, që të largojë këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster, e të gjejë një zëvendësues përpara takimeve me Korenë e Veriut, në muajin maj.

Lajmin e dha fillimisht gazeta “Washington Post” dhe më pas u konfirmua edhe nga rrjeti CNN. Sipas “Washington Post”, Presidenti e ka marrë tashmë vendimin dhe ka filluar të kërkojë për kandidatë të mundshëm për zëvendësimin e tij. Trumpi, thotë ajo, është i bindur ta largojë gjeneralin McMaster, me të cilin nuk ka patur marrëdhënie të mira, por nuk do të nxitojë në shpalljen e vendimit për të mos e vënë në pozitë ushtarakun e lartë me tre yje dhe për të gjetur një kandidat të fortë për zëvendësimin e tij.

Dy prej emrave të mundshëm që citon gazeta janë John Bolton, ish-ambasador në OKB dhe Keith Kellogg, shefi i tanishëm i personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. VOA kujton se pas shkarkimit të Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, ka patur zëra të shumtë se zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së Presidentit Trump do të zëvendësoheshin.

Të enjten, duke folur me gazetarët, Presidenti Trump la të kuptohej se priten ndryshime të tjera: “Gjithmonë do të ketë ndryshime. Besoj se edhe ju doni të shihni ndryshime. Unë vetë dua të shoh mendime të ndryshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA