Shqipja bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni. Në një seancë të tensionuar Parlamenti Maqedonas miratoi me 64 vota pro ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal dhe qëndror.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi u përcolli urimet shqiptareve të Maqedonisë në rrjetin social facebook, ndërsa deputeti i BDI-së, Artan Grubi e cilësoi këtë një ditë të jashtëzakonshme për shqiptarët.
Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Ivanov dhe kjo bëri që ligji të dërgohet për herë të tretë në Parlament.
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit që u arrit në vitin 2001 duke i dhënë fund konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni.
Mbi bazë të ligjit të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet e personat juridikë qe ushtrojnë autorizime publike, krahas gjuhës maqedonase do të përdorin edhe gjuhen e përdorur nga 20% e qytetarëve, shqipen. Ligji u miratua mes tensioneve që përshkallëzuan edhe në dhunë mes ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të parlamentit Talat Xhaferi.
Shpërfillja e 35 mijë amendamenteve të propozuara nga partia opozitare, VMRO-DPMNE bëri që deputeti dhe ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, të përpiqej të pengonte votimin. Por përballë kundërshtisë së Xhaferit për të ndërprerë seancën ai e sulmoi verbalisht atë, duke e lagur edhe me një gote ujë.
Top Channel