Sulmi me agjentin nervor, Londra ultimatum Moskës: Shpjegime brenda së martës

13/03/2018 11:16

Londra kërkon në formë ultimative nga ana e Moskës që të japë shpjegime brenda ditës së martë se si një agjent nervor, prodhim rus u përdor në sulmin ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

“Ose ky ishte një sulm direkt i shtetit rus ndaj vendit tonë, ndaj qytetarëve tanë, ose qeveria ruse ka humbur kontrollin e armëve të veta biologjike dhe ato kanë përfunduar në duar të treta. Nëse brenda së martës nuk ka një përgjigje të besueshme nga ana e Moskës, Britania e Madhe do ta cilësojë këtë një përdorim të jashtëligjshëm të forcës nga ana e Rusisë”, deklaroi Kryeministrja britanike, Theresa May.

Në lidhje me këtë sulm ka reaguar edhe NATO. “Britania është një aleat i vyer dhe incidenti është shumë shqetësues për Aleancën”, tha Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara e quajnë skandaloz. “Një akt skandaloz, pas të cilit qartësisht qëndron Rusia dhe për këtë duhet të ketë pasoja serioze”, tha Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u gjetën pa ndjenja në Salisburi të Britanisë së Madhe, pasi u ekspozuan ndaj një agjenti nervor.

Rusia i mohon akuzat dhe përmes ministrit të saj të Jashtëm, Sergei Lavrov i cilësoi ato “shfaqje teatrale provokuese”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA