“Çështjet territoriale kanë sjellë luftra dhe tragjedi në Ballkan, prandaj unë jam totalisht kundër ndryshimit të kufijve”.
Kështu i është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pyetjes së gazetarit të BBC-së nëse Kosova do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga një pjesë territori, për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje me Serbinë.
“Ne, shqiptarët e Kosovës jemi viktima të konflikteve territoriale. E gjithë bota u ngrit në këmbë për të ndalur atë që po ndodhte, kështu që jam totalisht kundër prekjes së çështjes së kufijve, ndryshimit apo shkëmbimit të tyre. Kjo do të çonte në tragjedi të re”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.
Gazetari britanik pohoi se ideja e shkëmbimit të territorit mund të përbënte një dritare mundësie për të dyja vendet, por kryeministri i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht një kompromis të tillë.
“Interesi ynë është të përfundojmë çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, si njohja e Pavarësisë. Jemi përgatitur gjithashtu për të falur, por nuk bëhet fjalë për shkëmbime territoresh. Nëse e hapim këtë çështje do të jetë një histori pafund. Kështu që jam plotësisht kundër”, deklaroi më tej Haradinaj.
Top Channel