Pas publikimit të lajmit për rrezikun që i kanoset Skënderbeut me një pezullim 10-vjeçar dhe gjobë prej një milion eurosh, ka reaguar klubi korçar me anë të një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit përmes rrjetit social “Facebook”.
“Klubi i futbollit Skënderbeu dëshiron të informojë opinionin publik se nuk ka aktualisht ndonjë vendim të trupave gjykuese, disiplinore të UEFA-s, për klubin e Skënderbeut. Shpjegojmë se dokumenti i publikuar nuk është aspak vendimi përfundimtar, por kërkesa për gjykim e inspektorëve të Disiplinës së UEFA-s, drejtuar trupës së Apelit, të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA”, thonë drejtuesit e klubit të Skënderbeut.
“Duam të qartësojmë se ky është një apelim i inspektorëve ndaj vendimit të marrë pothuajse dy vite me parë ndaj Skënderbeut, në bazë të nenit 34(3) të Statutit të UEFA-s, dhe jo një çështje e re kundër klubit. Kjo procedurë është konform nenit 29/3 të Kodit të Disiplinës së UEFA-s. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një çeshtje disiplinore në proces, për të cilën nuk është caktuar ende një seancë dëgjimore”, vijon më tej reagimi.
KF Skënderbeu njofton se është njohur me kohë me këtë akuzë të inspektorëve të Disiplinës. Por, sektori juridik i klubit korçar po ndjek procedurat e nevojshme juridike për çështjen në fjalë, duke shprehur sigurinë që çështja do të mbyllet me sukses.
Top Channel