Vrasja e Ariela Muratajt, familjarët: Aldisoni e përndiqte dhe e kërcënonte

29/01/2018 18:53

Familjarët e tjerë të Arielës tregojnë se Aldisoni e përndiqte vajzën dhe e kërcënonte herë pas here se do t’i vriste motrën nëse ajo nuk i përgjigjej apo nuk i tregonte se ku ndodhej.

Një nga kushërinjtë e së ndjerës tregoi se Aldisoni, pavarësisht presioneve në të kaluarën, u kishte thënë atyre se do ta linte të qetë atë, por që fundi tragjik provoi se kjo nuk kishte qenë e vërtetë.

“Ky person gjatë një kohe të vazhdueshme i ka shkaktuar vajzës presione nga më të ndryshmet. Ne këtë ia kishim falur. Pas kësaj na kishte thënë se ai do të shikonte punën e tij dhe ne e pranuam dhe e besuan se kishte hequr dorë. Ajo gjë doli se ato ishin thjesht trillime nga presionet që ai i bënte vajzës nga më të ndryshmet”, djali i dajës së Arielës.

Ndërkohë që një tjetër kushëri i studentes së juridikut, tregon format e shantazhit ishin nga më të ndryshmet, deri në kërcënimin e vrasjes së familjarëve të Arielës.

“E merrte në telefon në mes të natës dhe i thoshte se nëse ti tani nuk vret veten, unë do të vij tani tek ty dhe do të shantazhoj, do të bëj montazhe me kamera. Ai i bënte kërcënime që ajo të mos hapej me familjen e saj. Ariela më merr në telefon dhe më thotë të ikja në shtëpi me shpejt pasi ai ishte te shtëpia. Me vrap, mora vëllanë e madh në telefon. Në atë moment vij me shpejtësi këtu për të parë se çfarë po bëhej. Shikoj familjarët e tij dhe atë skizofrenin që unë nuk e imagjinoja ta shikoja më edhe rrugëve, jo më ta shikoja te shtëpia. Hyra në shtëpi. Isha i nervozuar. Nuk bëra asnjë fjalë. Thjesht doja të dëgjoja se çfarë ishin duke thënë. Ai akoma nuk kishte hequr dorë, donte t’i mbushte mendjen prindërve të Arielës, se ajo kishte pasur një lidhje me të. Vëllai më tregonte se ai person i thoshte se çdo gjë, çdo foto, të ja tregonte se ku ajo ishte dhe se çfarë bënte. Ai i bënte foto edhe Borës, kushërirës së afërt. Ai i thoshte se nëse Ariela nuk i tregonte se ku ishte dhe se çfarë ishte duke bërë ai do të vriste kushërirën. Ajo i tregonte çdo gjë.”, shprehet kushëriri tjetër i Arielës.

Ndërsa tezja e Arielës tregon se sapo kishin marrë telefonatën e parë nga vajza ishte nisur bashkë me prindërit e mbesës së saj drejt Tiranës, por mbërritën tepër vonë.

“U nisëm të katërt për në Tiranë, duke ikur rrugës vajza na merrte shpesh herë në telefon dhe thoshte ku jeni, por në një moment babai i Arielës mori në telefon babain e Aldisonit, edhe i thotë ku i ke djalin, ndërsa ai i përgjigjet se nuk e di. Duke ikur rrugës na merrte policia. Kur mbërritëm në Tiranë, policia na dorëzoi vajzat, por nuk na tha se Ariela kishte vdekur”, tregon tezja, e cila shton se e kuptoi që vajza kishte humbur jetën.

Top Channel