SHBA ka miratuar tarifat e shumë diskutuara mbi lavatriçet e importuara dhe panelet diellore. Lëvizja është në një linjë me politikën tregtare të presidentit Trump, “Amerika e Para”, që synon të mbrojë prodhuesit lokalë nga konkurrenca e huaj.
Prodhuesit kinezë të paneleve diellore dhe ata të lavatriçeve në Korenë e Jugut, do të preken më rëndë. Të dyja vendet i kanë kritikuar tarifat për të cilat presidenti Trump ka folur që kur është ulur në detyrë.
Veprimi po konsiderohet si lëvizja më domethënëse në fushën e tregtisë, e presidentit Trump, që kur ai vendosi ta nxjerrë SHBA nga marrëveshja për partnershipin trans-paqësor dhe të rinegocionte marrëveshjen për tregtinë e lirë në amerikën veriore, nafta. Politika është miratuar nga Trump pasi Komisioni Amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare arriti në përfundimin se prodhuesit lokalë dëmtoheshin nga importet më të lira.
Tarifat e vendosura mbi panelet diellore ishin sidoqoftë më të ulëta nga sa prodhuesit amerikanë kishin shpresuar, por ato mbi makinat larëse dhe pjesët e këmbimit të tyre ishin më të larta nga ç’pritej, duke shtuar vlerën në disa raste deri në 50 për qind.
Koreja e Jugut tha se do të ankohej në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke i quajtur tarifat të ekzagjeruara. Prodhuesit koreano-jugorë, përfshirë Samsung dhe LG, konkurrojnë në tregun e makinave larëse me firma amerikane si Whirpool. Ndërkohë Kina, prodhuesja më e madhe në botë e paneleve diellore, tha se lëvizja do të dëmtonte akoma më tej ambientin e tregtisë globale.
Top Channel