Skënderbeu, kampion dimri. Të premten, ndeshjet e fundit për 2017-n

21/12/2017 11:16

Futbolli shqiptar do të mbyllë sezonin futbollistik ditën e premte, me ndeshjet e fundit në të gjitha kategoritë.

Skënderbeu mbyll vitin si kampion i dimrit, edhe pse për të mbyllur fazën e dytë duhen 3 javë të tjera, por korçarët kanë arritur që në këto 15 javë të para të këtij sezoni të kenë një avantazh prej 9 pikësh nga vendi i dytë, që mbahet nga Kukësi.

Ditën e premte, korçarët do të luajnë me Teutën ne stadiumin “Skënderbeu”.

Një tjetër ndeshje e rëndësishme e kësaj jave të fundit është përballja mes Partizanit dhe Vllaznisë. Te skuadra e kuqe, trajneri Starova ka preferuar të mos dalë në konferencë për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje, duke u përpjekur të rikthejë qetësinë tek ekipi, pas shthurjes në ndeshjen e fundit ndaj Luftëtarit, nga i cili u mundën 5-0.

Por në një situatë të vështirë mbetet edhe Vllaznia, e cila e gjen veten në vendin e parafundit, në zonën e ftohtë.

Në ndeshjet e tjera, Kukësi do të presë Luftëtarin, Laçi do të luajë ndaj Lushnjes, e cila po zyrtarizohet javë pas jave si skuadra e parë që do të zbresë një kategori më poshtë, ndërkohë që Kamza, si surpriza e dy fazave të para, do të presë Flamurtarin.

Të gjitha ndeshjet e kësaj jave të fundit do të zhvillohen në orën 13:00.

Top Channel