Mkhitaryan, i pakënaqur te Manchester. Interi e ëndërron

12/12/2017 14:38

Pasi dështoi për të sjellë në Milano Nainggolanin, Vidalin apo Pastoren, Interi duket se ka gjetur përforcimin e duhur për të mbështetur Icardin në sulm. Bëhet fjalë për armenin Henrikh Mkhitaryan, pjesë e Manchester United.

Sipas “Daily Star”, fantazisti nuk po gjen hapësirë në skuadër dhe në këto kushte kërkon një ballafaqim me trajnerin Mourinho, për të kuptuar idetë e tij dhe mundësinë më pas që të shkëputet në merkaton e janarit.

Për momentin flitet vetëm për një thashethem të merkatos, që vjen nga Anglia.

Spalletti, ndërkohë, nuk e ka fshehur nevojën për një element kualitativ në atë pozicion, që mund t’i shërbejë më shumë lojës së kapitenit Icardi.

E në fakt, Mkhitaryan mund të jetë njeriu i duhur për atë rol, që me një ofertë të mirë dhe shitjen e një mesfushori tjetër (me shumë gjasë flitet për Joao Mario), në janar mund të kthehet në një lëvizje reale.

Në 7 ndeshjet e fundit të Manchester United, armeni nuk ka luajtur asnjë minutë në 6 prej tyre. Shumë pak për një futbollist që kërkon të jetë në qendër të projektit të një skuadre të madhe si “Djajtë e kuq”.

Top Channel