Autostrada e bllokuar, Tiranë-Durrës qarkullimi përmes rrugëve dytësore

01/12/2017 11:31

Autostrada Durrës-Tiranë, në Kashar, pranë Qafë Kasharit i ngjan një fushëbeteje të vërtetë. Vërshimi i ujërave në rrugë ka bllokuar dhjetra automjete dhe kamionë, të cilët nuk ndizen, ndërsa tërheqja e ujërave ka lënë pas trungje pemësh dhe mbetje pafund.

Gjatë inspektimit në këtë segment, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u përball me shqetësimin e pronarëve të bizneseve dhe automjeteve të dëmtuara nga vërshimi i ujërave. Xhafaj tha se policia është në situatë të jashtëzakonshme që prej mbrëmjes së të enjtes dhe se ministria ka vënë në dispozicion karroatrecët për të lëvizur mjetet e dëmtuara në autostradë dhe kthimin në normalitet.

Vetë drejtuesit e automjeteve shprehen të irrituar nga situata e krijuar dhe mosvlerësimi ende i dëmit në mjetet e tyre.

“U bllokuam që nga ora 6.30-7.00 e darkës, po mendova se do të zhbllokohej, po niveli i ujit u ngrit. Nuk e njoftova as familjen që të mos bëheshin merak. Kam ndenjur gjithë natën në makinë, deri në 5.00 të mëngjesit. Pastaj më morën familjarët sa për t’u ndërruar dhe jam kthyer këtu. Nuk po shoh një komision për vlerësimin e dëmit që të filmojë mjetet dhe pastaj mjeti të lëvizë i pajisur me dokumentin përkatës”, thotë një banor.

“E pakalueshme. Ka difekt motorrino dhe nuk ndizet. Askush nuk ka ardhur për vlerësim të dëmit”, shprehet një tjetër.

“Kam kërkuar ndihmë nga policia. Edhe ushtria erdhi sa për formë. Na erdhën shokët nga Durrësi që shpëtuam gratë e fëmijët”, thotë një tjetër i prekur nga përmbytja në autostradë.

Punonjësit e policisë së rendit, qarkullimit rrugor, ata të emergjencave civile, si dhe vetë të dëmtuarit po përpiqen të kthejnë në normalitet situatën në këtë aks të rëndësishëm rrugor, i cili që nga mbrëmja e së enjtes ndodhet i bllokuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA