Në bashkinë e Tiranës më shumë vështirësi ka pasur në zonat rurale për shkak të kushteve të këqija të kushteve atmosferike.
Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë duke u ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet.
Gjatë gjithë natës, ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe janë vendosur në terren, në shërbim të qytetarëve në të gjitha njësitë administrative.
Grupet e punës kanë ndërhyrë në autostradën Tiranë-Durrës tek City Park për të kthyer në normalitet qarkullimin e mjeteve, por njëkohësisht dhe në disa prej akseve brenda qytetit, kryesisht pemë të rrëzuara si pasojë e erës.
Ndërkohë, mjetet e rënda kanë shkuar në zonat rurale për të mundësuar lirimin e rrugëve si pasojë e rrëshqitjes së dherave duke sjellë dhe izolimin e fshatrave. Por ndërhyrja në kohë ka shmangur edhe këtë problematikë. Të gjithë punonjësit vijojnë që të jenë në terren në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje.
Ndërkaq, në Twitter kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falenderon punonjësit dhe ekipet lokale të ndihmës në bashkinë e Tiranës, duke shtuar se kërkon ndihmën e bashkive fqinje për zonat rurale.
“Lumi i rehabilituar i Tiranës & Lana e pastruar gjatë verës e kaluan provën, por duhet ende kujdes! Disa fshatra në Pezë janë të pakalueshme, ndaj le të shmangim udhë aty. Po ndërhyjmë në çdo lagje për pemët e rëna e mbetjet nga stuhia. Flm kolegëve, heronj”, shkruan Veliaj.
Ndërkohë ai është duke ndjekur vet personalisht situatën në terren në Njësinë Nr.6, ku dhe problematika si rrjedhojë e reshjeve të mëdha është më e madhe, sidomos në zonën periferike të Kombinatit.
Problematika kryesore është hasur në zonat kufitare të Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar bashkëpunimin e bashkive fqinje për të marrë masat e duhura dhe për të ndërhyrë kudo ka problematik.
“Ajo që kërkohet është që duhet bashkëpunim nga të gjithë bashkitë fqinje. Ne mund të pastrojmë kanalet derisa vijmë në Kamzë dhe në Vorë por në qoftë se nuk pastrohen edhe në Kamzë dhe në Vorë atëherë sigurisht krijohet një tapë e cila gjithë ujërat i kthen mbrapsht. Kështu që kjo do një organizim dhe ftoj edhe kolegët e bashkive fqinje që edhe ata të bëjnë detyrën e tyre. Nuk mjafton që një bashki të performojë sepse ne i kemi të lidhura kanalet, nuk është se jemi ndarë hermetikisht me njëri-tjetrin kështu që në këtë sens duhet pak ndihmë nga të gjithë që të kullojë gjithë ky ujë që ka rënë edhe në pjesën më të madhe të Tiranës, unë kam ca kohë që jam në rrugë dhe situata është normalizuar”, tha Veliaj.
Ai ka i ka theksuar se situata e krijuar shërben edhe për të nxjerrë mësime në mënyrë që qytetarët të respektojnë rregullat dhe të mos ndërtojnë më mbi shtratin e lumenjve apo duke bllokuar kolektorë e puseta.
Top Channel