Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, ka shkuar pranë Urës së Mifolit për të parë nga pranë kërcënimin e lumit Vjosë si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit.
“Jemi në kufijtë kritike të nivelit të lumit Vjosë. Ndërkohë që reshjet do të vazhdojnë dhe intensiteti pritet të rritet, niveli do të ngrihet”, u shpreh Peleshi, teksa theksoi se parashikohet një situatë që mund të jetë shumë kritike.
Për këtë arsye Peleshi u ka bërë thirrje të gjithë banorëve në zonat pranë brigjeve të lumenjve, të përrenjve pranë derdhjes në det që të evakuohen dhe të largojnë bagëtitë.
“Po mundohemi ta mbajmë në kontroll dhe intensitet të plotë hidrovorin e zonës. Të gjithë janë duke punuar. Janë të furnizuar me linja dyfishe të energjisë elektrike, pra energjia elektrike është e pandërprerë. Po punojnë me kapacitet të plotë, por kjo është një situatë e jashtëzakonshme duhet ta pranojmë. Kështu që për të shmangur çdo eventualitet, çdo katastrofë, shikoni që niveli i lumit Vjosë është mbi 6 m. Pra është niveli kritik. Duhet t’i përgjigjemi dhe të komunikojmë me numrin 112 për çdo rast emergjence që është numri shtabit qendror të emergjencës. Ne do të vazhdojmë të jemi në gatishmëri, mjetet e bordit të drejtorisë së ujitje kullimit janë duke punuar në pikat kritike. Duhet të përgatitemi për të shmangur dhe për të ruajtur mbi të gjitha jetën e njerëzve dhe pastaj natyrisht edhe të gjësë së gjallë që duhet evakuuar me shpejtësi. Tufat e bagëtive, barinjtë, duhet t’iu largohen lumenjve, përrenjve, malore dhe derdhjes në det sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ndër të tjera Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi.
Top Channel