Andrea Pirlo ka folur pa doreza ndaj Italisë së Ventura-s, duke e vënë gishtin më së shumti mbi trajnerin Ventura. “Skuadra duhet të bëjë më shumë. Të flasësh për arbitrin nuk vlen dhe golat nuk i bëjnë tifozët”, deklaroi ish-fantazisti i kombëtares italiane.

“Në të tilla ndeshje duhet të japësh 100%, nëse arbitri fërshëllen një faull mirë, në të kundërt duhet të vazhdosh të luftosh. Do të jetë e vështirë për Ventura-n që të gjejë motivimin për skuadrën në 3 ditë të mbushura me shumë presion, nga mediat dhe tifozët. Duhet të ketë në mendje skuadrën dhe vështirësitë me të cilat do të përballet. janë 3 ditë shumë të rëndësishme”, deklaroi Andrea Pirlo gjatë një intervistë për “Skysports”.

Më pas Pirlo ka bërë një apel ndaj tifozëve për ndeshjen e kthimit që do të luhet në “San Siro”. “San Siro duhet të shpërthejë, por unë nuk kam parë asnjë tifoz nga tribuna të shënojë gol. Kur skuadra humbet , duhet që dështimi të ndahet mes trajnerit dhe futbollistëve. mua më pëlqejnë ndeshje të tilla me presion, mendoj që edhe ish shokëve të mi u pëlqen. ”

Pirlo foli edhe për atë që për momentin shihet si zëvendësuesi i tij në ekipin kombëtar, Marco Verratti: “Nuk luajti një ndeshje të mirë, përveç disa shpërndarje sporadike topi, një në të djathtë për Candravan dhe një për Immobile në pjesën e parë. Nuk shkoi mirë edhe për faj të skuadrës që nuk e ka ndjekur zhvillimin e lojës”, shtoi Pirlo.

“Nuk mjaftojnë këshillat e një eksperti për të fituar ndeshje të tillë – vijoi më tej Pirlo – Në të tilla ndeshje duhet të shihen futbollistët e vërtetë dhe më veteranët janë shumë të rëndësishëm. Duhet shumë durim, shpejtësi në mendim e veprime. Unë do të luajë me rreshtimin 4-3-3 me Insigne në krah, pasi duke luajtur në mes ne humbëm shumë topa”, përfundoi këshillat e tij për skuadrën Andrea Pirlo.

Top Channel