Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati diskutoi me banorët e Derviçanit, në Gjirokastër, ligjin e ri të pakicave kombëtare dhe projektet zhvillimore të zonës.

Ministri tha se bashkëpunimi midis qeverisë greke dhe asaj shqiptare do të hapë një kapitull të ri të projekteve. Sipas Bushatit, ligji i ri për minoritetet është një hap përpara i Shqipërisë për trajtimin e pakicave kombëtare.

Sa i përket Bashkisë Dropull, me ligjin e ri, gjuha greke bëhet gjuhë e dytë zyrtare e kësaj njësie. Sa i takon prishjes së objekteve në Himarë, ai tha se është me rëndësi zbatimi i projekteve të nisura nga qeveria.

Por, për qëndrimin e palës greke për këtë çështje, Bushati u shpreh besimplotë se çdo gjë do të ecë përpara me frymën e dialogut që është hartuar ligji për pakicat.

“Ky takim dhe ky dialog që kemi ndërtuar gjatë dy viteve të fundit, kur kemi përgatitur këtë ligj së bashku me ekspertizën më të mirë të Këshillit të Europës dhe OSBE-në për pakicat, do të vazhdojë. Do ta vazhdojmë këtë lloj procesi dialogimi edhe me zbatimin e ligjit për pakicat”, tha ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Bushati dhe Kumbaro kanë udhëtuar drejt qytetit të Janinës për t’u takuar me zyrtarë lokalë, konsullatën shqiptare atje, si dhe qytetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë prej vitesh në Greqi. Bushati tha se problematikat e emigrantëve janë pjesë e rëndësishme e axhendës diplomatike shqiptare.

Top Channel