Energji nga dielli, 11 kërkesa në muaj për parqe fotovoltaike

23/10/2017 15:15

Investimet në parqet diellore po shndërrohen në një nga bizneset më të preferuara në Shqipëri.

Vetëm muajin tetor Ministria e Transporteve dhe Energjisë ka pranuar 11 aplikime nga kompanitë private për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Gjeografia e tyre është e shpërndarë thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Sipas dokumenteve zyrtare, shuma totale e investimeve që parashikohet për këto 11 vepra është rreth 25 milionë euro. Sipas procedurës së parashikuar nga ligji, kërkesat e kompanive private do ti nënshtrohen shqyrtimit nga ministria e transporteve. Nëse ministria vendos t’i pranojë projektet, atëherë kompanitë do të avancojnë me ndërtimin e tyre.

Energjia është një nga degët e ekonomisë që ka thithur më shumë investime private gjatë viteve të fundit. Por nëse deri më tani kapitalet private janë investuar kryesisht në ndërtimin e hidrocentraleve, nga vera e këtij viti tendenca ka ndryshuar dhe investitorët po rendin drejt parqeve diellore.

Ndërtimi i paneleve diellore diversifikon burimet e prodhimit të energjisë në Shqipëri, e cila aktualisht është e varur thuajse tërësisht nga uji.

Ekspertët në ministrinë e energjisë thonë se për shkak të klimës, në Shqipëri energjia diellore ka rendiment të lartë. Për këto investime, qeveria garanton plotësisht blerjen e energjisë me një çmim preferencial, më të lartë se ai i tregut, përkatësisht 100 euro për megavat.

Top Channel