Tirana do të ketë një instalacion të ri që inagurohet këtë të shtunë. Është kubi i quajtur “Shtëpia mesdhetare”, që po ndërtohet me përmasa 4X4, me shufra inoksi, të cilat përthyejnë realitetin urban.

Nga brenda do të jetë një hapësirë boshe, vetëm me një kompjuter brenda saj. Në fakt kjo është shtepia mesdhetare sipas arkitektit Arjon Muharremi.

Një mesdhe kontraditor i gjendur mes paradoksit nga njëra anë të shtëpive sterehëza që gjendet lehtë në Air BnB dhe nga ana tjetër të refugjatëve që nuk i strehon askush.

“Ky si projekt ka lindur duke iu përgjigjur temës së Bienales, shtëpia. Unë jam përpjekur t’i përgjigjem shtëpisë së të ardhmes, se si ne po edukojmë përmes këtij paradoksi kontemporan të ardhmen dhe cila mund të jetë shtëpia e së ardhmes. Kam përdorur utopinë sepse më lejonte lirinë intelektuale dhe formale”, tregon Muharremi.

Arkitekti ka zgjedhur të provokojë që në fillim me projektin e tij të prezantuar në Bienalen e Mesdheut 18. Ideja e punës së tij është një muze me hapësirë të vogël që do të shërbejë për ekspozita të artit bashkëkohor.

“Histori, konflikt, ëndërr dhe dështim. Të gjithë këta elementë konceptualë janë kthyer edhe në elementë formalë. Historia përmes paneleve inoks, të cilët duke reflektuar kontekstin bëjnë të tyren zonën urbane të qytetit”, thotë Muharremi.

“Mediterranean Home 0.0” po zë vend në hapësirën e sheshit “Avni Rustemi”, në një zonë ku mbizotëron historia, kujtesa dhe tradita. Dhe ky kontrast i të resë me te vjetrën mund të zgjojë debat.

Top Channel