Argjiro Fest mbyllet me takimin e miqësisë

09/10/2017 00:00

Për 4 ditë grupe  nga Kroacia, Bullgaria, Greqia, arbëreshët e Italisë, Kosova, Maqedonia etj. mbushën rrugët e Gjirokastrës  me paradat e veshjeve dhe muzikës si dhe koncertet e mbrëmjes në odeonin e qytetit.

Ilir Lluri, drejtues i qendrës kulturore të Bashkisë së Gjirokastrës flet mbi risitë që solli Argjiro Fest 2017. Pas më shumë se 70 vitesh është ngjitur në skenë riti i kënasë së dasmës gjirokastrite si dhe figura e njohur e Kako Pinos.

“Një nga risitë që do veçoja është ajo e ansamblit të Gjirokastrës e cila pruri një fragment nga riti i dasmës gjirokastrite të shkruar sipas Musine Kokalarit, dhe praktikisht atë moment që ka të bëjë me darkën e kënasë”, tha Ilir Lluri, Qendra Kulturore Gjirokastër.

Çdo mbrëmje është mbyllur me festën e miqësisë në sheshin “Çerçiz Topulli” ku qindra të rinj kanë festuar me muzikë të zgjedhur deri në orët e para të mëngjesit.
Artizanët nga gjithë Shqipëria dhe rajoni ekspozuan  produktet në panairin e 11-të të Artizanatit.

“Vij nga Struga, është një prodhim që gjithë Maqedonia e prodhon po ne e kemi marë si gjetje për të jetuar”, thotë Fisnike Bajrami .

“Jeleku është mbi 100-vjeçar, janë gjëra që nuk prodhohen më”, shprehet Xhyljana Ndoci.

Shtëpia Kadare ka qenë një tjetër mjedis ku u mbajtën aktivitete kulturore, si ekspozita fotografike Argjiro Fest 2016. Skulptori Muntaz Dhrami realizoi dhjetëra skica të artistëve pjesëmarrës në festival ndërsa për herë të parë edhe banda frymore e Forcave të Armatosura ishte pjesë e Argjiro Fest.

Top Channel