‘Tuneli’ në Tiranë, një film që i flet politikës

08/10/2017 00:00

Vahiti është një aktivist politik, i cili plagoset gjatë një demostrate, kur partia e tij ishte në opozitë, por që  arrin të punësohet si shofer personal, kur udhëheqësi i partisë bëhet kryeministër.

Dy miqtë e tij të vendlindjes, njëri anëtar i parlamentit dhe tjetri kryetar i komunës, e nxisin  për të siguruar fonde për një projekt të ndërtimit të një tuneli në zonën e tyre. Ata kanë ndërtuar një plan me shumë kujdes, për tu pasuruar me këtë projekt, pa qenë Vahiti pjesë e këtij mashtrimi.

Ky është subjekti i filmit më të ri shqiptar, të cilin regjisori Ilir Harxhi e pagëzoi me titullin “Tuneli”, që 7 vite më parë, kur vendosi që mbi tregimin e Pëllumb Kullës, të ndërtonte një skenar për filmin e tij të ri. Një film që i flet politikës sot…

 “Absolutisht që po, sepse ka gjithë ato fenomene në qendër, në fokus ky film. Kryefjala e tij është korrupsioni, kuptohet i veshur me art, e thënë me aq sa kam pasur mundësi unë, që së bashku me trupën artistike të sjell një vlerë të shtuar në kinema”, u shpreh regjisori Ilir Harxhi.

Me lojën e aktorëve Robert Ndrenika, Enver Petrovski, Arben Derhemi e shumë të tjerëve të njohur, ngjarjet rrjedhin natyrshëm për 80 minuta, ndërsa janë 4 minutat e fundit ato që mbartin kuriozitetin për zgjidhjen finale.

“Gjithmonë kërkohet që sipas asaj që është shkruar, të gjendet aktori, i cili të mishërojë karakterin, të hyjë në lëkurën e personazhit dhe të krijojë fjalën magjike ‘karakter’. Kjo është arsyeja pse unë insistova dhe zgjodha këtë kast aktorësh”, tha Harxhi.

‘Tuneli’ po shfaqet aktualisht në të gjithë rrjetin e kinemave Imperial.

Top Channel