Seriali “Gomorrah” në Top Channel

05/10/2017 00:00

Pas suksesit të “Fronit të Shpatave” VI, në ekranin e Top Channel prej 12 tetorit do të pasojë seriali “Gomorrah”, bazuar mbi librin me të njëjtin titull të Roberto Saviano dhe filmit me regji të Matteo Garrone.

Historia e brendshme e organizatës krimininale napoletane Kamorra. Me një kast të mrekulllueshëm aktorësh si Marco D’Amore, Fortunato Cerlino, Salvatore Esposito, Maria Pia Calzone, etj, drama e krimit “Gomorrah” do të shoqërojë audiencën çdo të enjte në orën 22:15.

“Gomorrah” ruan ngjashmëritë e tij me serialin “The Wire” në pasqyrimin e krimit të rrugës dhe hierarkinë organizative të saj nga niveli zero deri tek kreu më i lartë, duke sjellë historinë e luftës së brendshme, por edhe të jashtme, për pushtet midis kriminelëve dhe fajtorëve.

Shfaqur në 130 vende të botës, historia e biznesit familjar të krimit do të vijë për publikun shqiptar në 11 episode.

Në fillesën e përballjes së klaneve Savastano dhe Conte, episod pas episodi publiku do të njohë historinë e armiqësisë, krimit dhe hakmarrjes mes personazheve Don Pietro, Ciro, Donna Ima e më pas Gennaro Savastano.

Fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, “Gomorrah” vjen prej 12 tetorit në Top Channel.

Top Channel