Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la të pandryshuara masat e sigurisë për tre të arrestuarit pas ngjarjes së Elbasanit, ku u godit me një mjet tjetër makina e nëndrejtorit të policisë, Gjergji Oshafi.
Pas vendimit të Apelit, Ledio Zabeli, drejteusi i mjetit të bllokuar “Range Rover” dhe Valmir Dedja, roja i tregut ushqimor do të hetohen nën masat e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërsa për personin e tretë, Kelmend Xhaferri, që ishte pasagjer në mjetin “Range Rover”, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, mbrëmjen e së mërkurës policia e Elbasanit në bashkëpunim me FNSH arrestoi në qytetin e Cërrikut 31-vjeçarin Enea Bekteshi, i cili dyshohet se është personi që drejtonte mjetin e blinduar “Audi” që goditit tre javë më parë mjetin e nëndrejtorit të policisë dhe ndaj të cilit Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar një urdhër-arresti në fund të muajit të kaluar.
Përveç ngjarjes tek tregu ushqimor të Elbasanit, 31-vjeçari është i dyshuar edhe për ngjarje të tjera që kanë mbetur të pazbardhura në këtë qytet. Së bashku me Bekteshin, policia arrestoi edhe kuantin e tij Aleks Pupuleku, i cili kishte strehuar në banesën e tij të kërkuarin.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të kërkojë ditën e premte vendosjen e masës së sigurisë ndaj Bekteshit, i cili akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, “shkatërrim prone” dhe “prodhim dhe mbajtje narkotikësh”.
Top Channel