Goditën drejtuesin e policisë në Elbasan, ngjarja rrethohet nga heshtja

19/09/2017 00:00

Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e mbrëmjes së të hënës, ku gjatë një aksioni policor, makina e zëvendësdrejtorit Gjergji Oshafi u përplas qëllimisht nga një “Audi” i blinduar.

Pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, janë arrestuar 3 persona, ndërkohë që u sekuestruan edhe 7 automjete, 3 prej të cilave të blinduara si dhe një armë zjarri sportive.

Në pranga janë vënë Ledio Zhabeli dhe Kelmend Xhaferri, të cilët ndodheshin në mjetin “Range Rover” me vlerë 100 mijë euro, i cili ishte ndaluar për verifikim nga policia pasi dyshohej si i trafikuar pasi në banesa iu gjet një sasi kanabisi dhe arma pa leje.

Po ashtu, është arrestuar edhe roja i tregut ushqimor, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të hapur derën ku u fut “Audi” që përplasi makinën e policisë. Uniformat blu thotë se kanë identifikuar drejtuesin e mjetit të blinduar që rrezikoi jetën e efektivëve dhe se po punohet për kapjen e tij ndonëse asnjë prej burimeve nuk pranon te thotë emrin e personit.

Ndërkohë, për ngjarjen reagoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. “Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vetë policinë, vettingu duhet te nisë nga Kryeministri, ministri i Brendshëm e kryebashkiakët të bërë njësh me bandat”, shkruan Basha në rrjetet sociale, duke postuar edhe mesazhin e një qytetari, sipas të cilit makina e zëvendësdrejtorit të policisë në Elbasan është goditur nga dhëndrri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Çelën pasi një pike kontrolli ka kontrolluar disa ‘ushtarë’ të tyre”.

Nga verifikimi i Top Channel i këtij deklarimi të Lulzim Bashës, rezulton vetëm një lidhje indirekte.
“Audi” i blinduar rezulton në përdorim të Petrit Çelës, i njohur edhe si pronar i tregut ushqimor në Elbasan.

Nga 7 makinat e sekuestruara, edhe një “Audi” tjetër A8 po i blinduar dhe “Range Rover”-i i ndaluar mbrëmjen e së hënës, rezultojnë po në pronësi të këtij shtetasi.

Petrit Çela është i ati i Suel Çelës, një person jo i panjohur për uniformat blu në qytetin e Elbasanit, një nga dy emrat e përmendur nga Lulzim Basha. Ndërkohë çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka hapur hetimet, por pa përmendur asnjë emër konkret autorësh të mundshëm. Edhe ajo si uniformat blu ka heshtur. duke paralajmëruar kështu, edhe këtë herë, dështimin e hetimeve.

Hetime ka nisur edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave sa i takon zbatimit të procedurave standarde nga ana e efektivëve të policisë.

Top Channel