Agjentët e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme kanë vënë në pranga në orët e fundit një inspektor që dekonspironte veprimet e policisë.
Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se në pranga ka rënë inspektori Engrid Hënaj, efektiv në repartin “Shqiponjat” pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Arrestimi është bërë i mundur pas një hetimi të përbashkët me prokurorinë e Kavajës, me agjentët që kanë përdorur taktika speciale të hetimit.
Ndaj inspektorit të arrestuar rëndojnë akuzat “përkrahje e autorit të krimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Nga hetimet ka rezultuar se ai në disa raste ka ndihmuar shtetasin me inicialet F.L, i arrestuar disa herë për një seri vjedhjesh.
Hetuesit kanë arritur të mbledhin prova të mjaftueshme se në këmbim të informacioneve Engrid Hënaj merrte shuma parash, ndërkohë që dyshohet se ai ka ndihmuar edhe persona të tjerë që kanë kryer veprime kriminale.
Ndaj tij Gjykata e Kavajës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërkohë që hetimet vijojnë pasi dyshohet për persona të tjerë të përfshirë.
Të mërkurën SHÇBA pezulloi nga detyra edhe një një oficere të komisariatit numër 1 për shkak se ajo kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim 18-muajsh për shëprdorim detyre.
Aksionet e SHÇBA-së vijnë në një kohë kur edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë prezantimit të programit të qeverisë shprehu angazhimin personal për të çuar deri në fund “vetingun” edhe në radhët e Policisë së Shtetit.
Top Channel