“Zemra e Sarajevës”, vlerësimi për aktoren Ornela Kapetani

20/08/2017 00:00

Kur Ornela Kapetani xhiroi një duel mjeshtëror me Suzana Priftin në filmin “Dita zë fill” vështirë ta mendonte veten fituese të Zemrës së Sarajevës, si aktorja më e mirë.

Binomi i Letës, roli i saj, dhe Sofisë rezultoi i suksesshëm dhe që në fillim është vlerësuar si tepër i arrirë. Vetë aktorja nuk i fshehu befasinë, për një trofe si zemra e Sarajevës. Ku ajo personifikoi në një dramë intime një nënë që është e gatshme të sakrifikojë gjithçka për fëmijën e saj. Deri në mbajtjen me thonj të një vendi pune si kujdestare e një gruaje të moshuar.

E njohur për rolet e saj në “Hostage” apo “Correction”, Ornela ka studiuar aktrim në Londër.

Së bashku me premierën botërore të filmit, i përzgjedhur si një nga shtatë garuesit në festivalin më të rëndësishëm të filmit në rajon, “Dita zë fill” solli edhe një trofe. Dhe kjo është dalloi përfaqësimin e kinemasë shqiptare në syrin e industrisë botërore të filmit që ishin pjesëmarrës në këtë festival. Ku një ndër të ftuarit e nderit ishte edhe Oliver Stone.

Filmi më i mirë u shpall “Scary mother”, me regji nga Ana Urushadze. Serban Pavlu mori çmimin si aktori më i mirë, ndërsa Emanuel Parvu u shpall regjisori më i mirë. Kjo është hera e dytë që një film shqiptar merr pjesë në këtë kompeticion.

I cilësuar nga kritika si një film me finesë psikologjike dhe emocionale, “Dita zë fill”,  do të transmetohet në kinematë tona në shtator, por ndërkohë ai e ka nisur rrugëtimin e tij dhe ka marrë konfirmimin edhe për kompeticione të tjera të rëndësishme në botë, që për momentin ende nuk janë bërë publike.

Top Channel