
Foto të jashtëzakonshme të burrave e fëmijëve që transportojnë qumësht hipur mbi kuaj në Shqipërinë e para 30 viteve, bunkerë të përhapur në çdo cep të vendit, bujq, gra me shami e këmbësorë, të fiksuar bardh e zi në objektivin e fotografëve holandezë gjatë komunizmit në vendet e ish-Bllokut Lindor.
“The other side” sjell anën tjetër të Shqipërisë së diktaturës, të vërtetën, ashtu siç Shqipëria ishte në ekzpozitën që vjen si bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ambasadës Hollandeze.
“E veçanta e kësaj ekspozite është që ruralja bashkohet me urbanistikën. Jeta e përditshme e njerëzve në periferi është e fiksuar në celuloid ashtu siç ka qenë pa zbukurime të ndryshme, çka na sjell neve si studiues duke bërë një krahasim me vende të tjera të Europës Juglindore se cila ishte situata politike e sociale e Shqipërisë në fund të viteve ‘80”, shprehet Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili u arrestua disa herë nga regjimi i kohës në Shqipëri, teksa bënte foto në rrugë, duke shkelur ligjin.
“Piet e ka shoqëruar me një tekst punën e tij duke treguar se si fotot e shkrepura prej tij dolën nga Shqipëria. Ai nuk mundi t’i nxirrte dot vetë jashtë kufijve. Duke pasur frikë se policia do t’i sekuestronte negativët kur ai të dilte nga Shqipëria, ia dha fotot një miku te tij. Fotot u kthyen tani në vendin ku u shkrepën dhe shpresoj se të gjithë jemi të lumtur me këtë fakt”, tregon Ad Nuis, fotograf.
Ana tjetër e Shqipërisë në fragmentet e shkrepura, ku duket qartazi varfëria e ideologjia e kohës do të ekspozohet deri më 30 gusht në Muzeun Historik Kombëtar.
Top Channel