Festival në shtëpinë e “zanave”

16/08/2017 00:00

Gushti do të bëjë bashkë në një festival në Theth, kantautorë si Elina Duni, Vlashent Sata e Shpat Deda, përzierë me misticizmin e rrëfenjave të vjetra shqiptare të maleve. Pikërisht në vendin ku janë frymëzuar tregimet e orëve dhe të zanave.

“Doja të çoja atje diçka artistike që na e kanë zili gjithandej. Pikërisht atje ku nuk ka ndodhur ndoshta asnjëherë shfaqje kulturore e kësaj përmase. Qëllimi është rizgjimi i kulturës shqiptare, ndaj ka ndërthurje midis muzikës, gojwdhënave, tregimeve, legjendave”, tha Vlashent Sata, kantautor, drejtor artistik i “ZaFest”.

Më 26 gusht, nën hijen e majave të Radohimës, Shenikun dhe Paplukut, jo pak por 800 vetë do të humbasin mes tingujve të muzikës më të mirë folk në shqip. Sepse aty janë bashkë kantautorët më në zë.

Organizatorët duan ta shndërrojnë këtë projekt pilot dhe t’i japë atij magjinë e thirrjeve stërgjyshore.

“Skenografia do të jetë krejt natyrore, sepse do jetë e rrethuar vetëm me anë natyrore. Festivali është shpallur në rrjetet sociale, në faqen e tij në Facebook “ZAFEST”. Në fakt Zafest vjen nga fjala si zani po edhe si zanat dhe është një gjë që udhëton gjithandej”, shton Vlashent Sata.

Top Channel