Zjarrfikës, por pa mjete. Dorëzohen bashkitë: Jemi të pafuqishme

10/08/2017 00:00

Temperaturat e larta të kësaj vere kanë bërë që situata nga zjarret të jetë në prag të një emergjence kombëtare. Por sa efektive janë shërbimet zjarrfikëse në vend? A janë ato në gjendje të mbulojnë të gjithë territorin?

Në shumicën e rasteve, të fundit që mbërrijnë në vendngjarje janë pikërisht zjarrfikësit. Kjo, sepse në shumë bashki një repart i tillë nuk ekziston, ndërkohë që ligji dikton krijimin e tyre deri në dhjetor të vitit 2018.

“Bashkia e Cërrikut ka një territor prej 186 km katrorë, tërësisht të pambuluar me këtë shërbim dhe mundësitë tona për ta krijuar një repart zjarrfikës janë të pamundura, pra janë zero”, tha Altin Toska, kryetar i Bashkisë së Cërrikut.

“Bashkia e Belshit ka zero mundësi për të ndërtuar dhe për të mbajtur një stacion zjarrfikësish. E them këtë për shkak të mungesës së fondeve”, tha Arif Tafani, kryetari i Bashkisë së Belshit.

Edhe në ato raste kur repartet zjarrfikëse ekzistojnë, ato janë thuajse në grahmat e fundit. Edhe këtu kërkohen shuma të mëdha për rikonstruksionin e tyre, të cilat bashkitë e kanë sërish të pamundur t’i përballojnë.

“Eshtë për të ardhur keq që ky repart ka 5 makina zjarrfikëse të vitit 1975-1976. Zjarrfikëseve u mungon baza materiale dhe veshjet. Mungon një kompresor që shërben për mbushjen e bombolave dhe aparateve hermetike. Ka edhe mungesë të pajisjeve ndihmëse të mjeteve zjarrfikëse, si tubat apo fikëset portative të zjarrit”, tha Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit.

Edhe pse duket e pakuptimtë, së fundmi qeveria ka akorduar një fond pagash për personel zjarrfikës edhe në ato bashki ku ky repart nuk ekziston. Gjë që do të thotë se personeli zjarrfikës do të paguhet, edhe pse nuk ka as mjete dhe asnjë mundësi për të ndërhyrë në raste zjarri.

Top Channel