Vuçiç presion BE-së: Duam datën e anëtarësimit

16/07/2017 00:00

Aleksandar Vuçiç po ushtron presion mbi Bashkimin Europian për t’i ofruar një afat të qartë kohor anëtarësimi vendit të tij.

Gjatë vizitës në veri të Greqisë, Presidenti serb deklaroi se Brukseli ka dështuar deri tani të japë ndonjë sinjal se kur mund t’i bashkohet Serbia bllokut 28 anëtarësh duke shtuar se “gjithë çfarë kërkon vendi i tij është që të trajtohen me respekt”.

Bisedimet e anëtarësimit, Beogradi i çeli zyrtarisht janarin e 2014-s. “Nuk është se pres ndonjë përgjigje tani shpejt se kur mund të ndodhë anëtarësimi, por të paktën ta kemi një kornizë kohore”, nënvizoi Vuçiç, fituesi i zgjedhjeve presidenciale të muajit prill.

“Të na e thonë qartë çfarë pritet dhe kur pritet”, vazhdoi ai, duke i mëshuar sidomos kërkesës që Brukseli t’ia tregojë hapur çfarë kërkon prej Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës.

BE ka qenë ndërmjetësues i bisedimeve Kosovë-Serbi me qëllimin t’i qetësojë tensionet e përflakura sërish pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, BE nuk ka kërkuar në mënyrë specifike që Beogradi ta njohë Kosovën.

Pesë vende të bllokut, Sllovakia, Greqia, Qipro, Rumania dhe Spanja nuk e kanë hedhur as vetë këtë hap. Serbia është një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkon hyrjen në BE, e siç pohoi pak ditë më parë vetë Komisioneri Europian i Zgjerimit, Johannes Hahn, ajo dhe Mali i Zi janë më përpara në fazën e pranimit sesa Shqiperia, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia.

Top Channel