Bota e fëmijëve zë një vend të veçantë në Galerinë Kombëtare të Arteve në një ekspozitë ndryshe, dedikuar me të vegjëlve.

Si një ditar me ilustrime të realizuara ndër vite, në teknika të ndryshme, në këtë ekspozitë vijnë përballë njëra-tjetrës punët e mjeshtrit Abdurrahim Buza me fëmijën e vuajtur pas luftës, ku manifestohet pjekuria e parakohshme, ndërsa nga ana tjetër reflektohet fëmija i pafajshëm i Guri Bulollarit.

“Është ajo botë jo e ndotur, ajo botë e pastër, e çiltër, e sinqertë, e kthjellet dhe kjo manifestohet nëpërmjet një surrealizmi naiv të pikturës së Gurit, por kemi edhe nga pikturat historike mjeshtrin e madh Abdurrahim Buza me portretin e fëmijës ose marrëdhënien e nënës me fëmijën në djep, kemi adultin tek fëmija në këtë rast, pra është e kundërta”, shprehet Artan Shabani, Drejtor i GKA

Dy artistët e tjerë në këtë ekspozitë janë Agim Faja, mjeshtri i ilustrimeve manuale, përballë së cilit vendoset Ledia Kostandini që sjell fëmijën në epokën dixhitale.

“Është një panoramë e plotë e kësaj ekspozitë, një puzzle, në të cilin nuk mungon asnjë pjesë. Janë përballë njëri-tjetrit fëmija, adulti, periudhat, historia, teknikat dhe e gjitha kjo krijon një marrëdhënie shumë interesante. Kjo është një ekspozitë që vërtetë do të uroja që mos të kishte fëmijë që ta humbte. Të gjithë fëmijët që kanë mundësi që ta shikojnë me prindërit, me gjyshërit, është një ekspo që nuk është vetëm për fëmijë, por është për të gjithë publikun”, thotë Artan Shabani.

Edhe Lego merr një hapësirë në këtë ekspozitë, ekspozuar në këndin e kreativitetit e fantazisë që mirëpret fëmijët deri në datën 30 korrik në GKA.

Top Channel