Durrës, zbulohet kulla mesjetare

14/06/2017 00:00

Struktura të një kulle katërkëndore, pjesë e fortifikimit të hershëm mesjetar të qytetit janë zbuluar gjatë sondazhit të fundit arkeologjik në Durrës.

I shfaqur në dokumente mesjetare, ky objekt që kishte ngacmuar kërshërinë e arkeologëve në lidhje me ekzistencën e tij, u gjet pranë Mureve Mesjetare të qytetit, vetëm pak metra larg Torrës Veneciane.
 
“Në kuadër të projektit shqiptaro-francez, përzgjodhëm këtë pjesë pranë fortifikimeve pasi në burimet arkivore dhe në hartën e vitit 1571 shihnim një kullë të paidentifikuar në pjesën fundore të fortifikimit, po kjo kullë katërkëndore nuk ishte e zbuluar arkeologjikisht. Tani kemi bindjen se kemi zbuluar pjesën perëndimore të kësaj kulle”, u shpreh Eduard Shehu, arkeolog.
 
Arkeologia Brikena Shkodra thotë se zbulimi është një tregues i rëndësishëm mbi zhvillimet kronologjike dhe strukturore që ka pësuar fortifikimi i qytetit të lashtë, kryeqendër e shqiptarëve që nga antikiteti e në vazhdim, i sulmuar herë pas here përgjatë historisë nga pushtuesit dhe dukuri të fuqishme natyrore siç janë tërmetet.
 
“Të shihnim si është zhvilluar sistemi i fortifikimit që nga periudha bizantine, shek.VI dhe evoluimin e tij dhe fatmirësisht kemi arritur të kapim atë lidhje që na mungonte. Pa hezitim mund të themi që kthesa e Murit Bizantin në drejtim të lindjes është pikërisht këtu dhe elementi strukturor që realizonte këtë kthesë të murit është pikërisht kjo kullë katërkëndore…Kulla 4-këndore është më e hershme se Muret Mesjetare pranë të cilave ndodhen rrënojat e saj. Ajo i përket shekujve XI-XIV, po vlerësimi në detaje i dokumentacionit historik, si dhe ballafaqimi i tij me ato pak elemente arkeologjike, kryesisht qeramikë shpresojmë të na ngushtojë harkun kronologjik”, u shpreh Brikena Shkodra, arkeologe.
 
Zhvillimi i qytetit të Durrësit, që është ringritur gjithnjë mbi veten, për shkak dhe të pozicionit të favorshëm gjeopolitik,  që nga antikiteti deri në ditët tona, pasurohet çdo ditë e më shumë me dëshmi që nëntoka muze e tij mbart dhe konservon me fanatizëm ndër shekuj.

Top Channel