Një kufomë e shtrirë në tokë, gati-gati si një njeri mbi ballin e të cilit feks ylli i partisë. Ky është njeriu i ri, njeriu i kohës së diktaturës, i cili nuk vdes kurrë dhe nuk fle, por edhe nëse fle, një sy e mban hapur, kurdoherë vigjilent.

Pas ekpozitës “Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?”, të çelur pak kohë më parë, në të cilën artisti, Ilir Kaso pyeste publikun përmes pyetjeve të hapura, këtë herë ai vjen me ciklin e dytë ‘Edhe Zotat vdesin” si një përgjigjje ndaj ekspozitës pararendëse.

“Unë preferoj që diktatorin, apo ideologjinë që këto sisteme totalitare sollën, ta sjell në sintetizimin e një kufome. Sjell në këtë ekspozitë disa punë, ku jam marrë me ngjyrën dhe me artin formalist, që në atë periudhë ka qenë i ndaluar në fakt arti abstarkt, sepse në atë kohë arti i realizmit socialist programonte gjithmonë një tematikë për artistët dhe tematika ishte gjithmonë mbi njeriun e ri”, thotë artisti Ilir Kaso.

“Nëse ne nuk kuptojmë sesi ka qenë diktatura në brumosjen tonë, ne nuk kuptojmë as demokracinë, as sensin e saj. Do ta marrim në po të njëjtën mënyrë si një sistem totalitar, ku ne mund të bëjmç çfarë të duam. Nëse nuk arrijmë të kuptojmë një sistem totalitar të izoluar që e kemi lënë pas do të vazhdojmë të kërkojmë në sistemet e radhës, ose në liderët që na udhëheqin, formën e një diktatori”, vijon ai.

Nëse Zotat vdesin apo jo, aq më tepër kur janë diktatorë, Ilir Kaso e shtron si pyetje të hapur për diskutim me publikun deri në datën 17 maj në galerinë e Arteve FAB.

Top Channel