Zgjidhen fituesit, Veliaj: Tirana Art Fest, një shans për të rinjtë e talentuar

04/05/2017 00:00

Tirana Art Fest tashmë ka fituesit e saj duke përmbyllur një aktivitet kulturor të bashkisë së Tiranës, me talente në fusha të ndryshme nga gjimnazet e Tiranës.

Çmimi i parë në këngë shkoi për Rea Nuhun, artisti i ri më i mirë u shpall Bertila Bruka, ndërsa grupi më i mirë në këngë u shpall ai i gjimnazit “Qemal Stafa”. Ndërsa, grupi më i mirë në kërcim u shpall ai i gjimnazit “Ismail Qemali” dhe në Hip Hop gjimnazi “Partizani”. Një risi për këtë edicion ishte edhe pjesëmarrja e shkollave dhe gjimnazeve të zonave rurale, ku për herë të parë grupi më i mirë Folk u shpall ai i shkollës “Ibrahim Hasmema”, Petrelë, ndërsa grupi më i mirë i djemve ai i shkollës “Sadik Stavileci”, Kashar.

“Pas disa vitesh ndërprerje, rikthimi i “Tirana Art Fest” vjet dhe sivjet tregon që, kur një qytet do të bëjë gjëra të mira e të bukura, kur një qytet do që t’u japë një shans të rinjve, bashkë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme, të cilat veç e veç nuk i bëjmë dot. Ndaj, jam shumë krenar për të gjithë ju, pavarësisht sa çmime morët apo sa certifikata do të çoni në shtëpi. Besoj se të rinjtë e Tiranës janë të rinjtë më idealistë, më të talentuar dhe më fantastikë që ka nxjerrë Shqipëria”, tha kreytari i bashkisë Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë nxënësit e shkollave dhe gjimnazeve të ish-komunave, të cilët iu bashkuan për herë të parë kësaj nisme.

“Transformimi i Tiranës në një qytet të madh, që ka përfshirë të 24 njësitë, nuk është mirë vetëm për investime në infrastrukturë, por mbi të gjitha siç po provohet sot, edhe për investime në kulturë. Kur kaq shumë shkolla që deri dje konsideroheshin të periferisë se ishin në Kashar, në Mullet, në Krrabë, në Zall-Herr, sot kanë të njëjtin shans, kanë të njëjtën skenë, kanë të njëjtët trajnerë dhe të njëjtën mundësi për të qenë të suksesshëm edhe për t’ia dalë, edhe në Tiranën tonë të madhe”, tha kryetari Veliaj.

Top Channel