Rusët, dashuri dhe urrejtje

03/05/2017 00:00

Aleksandër Sokurov, emri i madh i kinematografisë ruse, është në Shqipëri për herë të parë për të realizuar në Gjirokastër filmin bazuar mbi skenarin e Kadaresë “Sorkadhe të trembura”.

Historia i takon periudhës së prishjes së marrëdhënieve me Rusinë dhe fatit të grave ruse në vitet ‘60. Dhe Sokurov do të jetë drejtor artistik në këtë produksion me partnerë rus, belgë, francezë dhe shqiptarë. Me regji te Juri Arabov.

“Ndërkohë që sillesha mes Francës dhe Italisë rruga nuk më kishte sjellë kurrë në Shqipëri. Por tani kuptoj që duhet të kisha ardhur menjëherë këtu”, shprehet regjisori Aleksandër Sokurov.

Ai nuk jep shumë detaje për filmin, por duke shprehur dashurinë për natyrën romantike të kinemasë, nuk e përjashton këtë ajër edhe në film.

“Do ishte shumë më mirë nëse kinemaja do të mbante ajrin romantik, fluturimin romantik, historitë e bukura, ku të gjithë duhen. “Romeo dhe Zhulieta” nuk do të vdesë kurrë”, thotë Sokurov.

Megjithatë ky film, nuk do të ketë një shije vetëm Shqipërie, por në të do të mbizotërojnë vlerat e përbashkëta.

“Këto vlera të përbashkëta janë avantazhi në skenografinë e këtij filmi. Konflikti i një njeriu me sistemin totalitar. Poshtërimi që hasin njerëzit. Kjo nuk është vetëm shqiptare si ndodhi”, thotë regjisori.

Në një kohë kur po flitet shumë për ndikimin rus në Shqipëri, Ballkan e më gjerë, këta të fundit i kanë kthyer sytë nga kinemaja. As më pas e as më shumë se sa me numrin dy të kinemasë ruse. Por për kineastët këtu ky është një lajm i mirë, që shkon përtej nostalgjisë për shkollën e Europës Lindore të filmit. Por ngelet për t’u parë se si do të realizohet në Gjirokastër skenari i Kadaresë.

Top Channel