Pjesa “Dyshimi”, shkruar nga John Patrick Shanley në vitin 2004 e i dha atij çmimin “Pulitzer” një vit më vonë, përkthyer në shqip nga Rudi Erebara, është një dramë e bazuar mbi frikërat, pasiguritë e dyshimet.

Me skenografi e kostumografi nga Laedia Hajdari, në një muzike sa mistike aq edhe njerëzore, kompozim i Sokol Marsit; Shegushe Bebeti, Romir Zalla, Jorida Meta dhe Nigela Ruka ngjitën në skenën e Universitetit të Arteve pjesën ku përplasjet mes brezave në një shkollë fetare nuk mungojnë.

Petkun e një murgeshe, së bashku me gjithçka ajo përfaqëson, aktorja dhe producentja Shegushe Bebeti e vesh për herë të parë.

“Është një eksperiencë e re, e panjohur më parë, sepse duhet të jesh pjesë e këtij besimi për ta kuptuar, por kemi lexuar shumë vepra mbi manastiret, mbi kuvendet, m’u duk shumë tërheqëse si pjesë. Motër Aluisa është një natyrë e ftohtë akull, tepër kosnervatore, shumë posesive dhe kërkon edhe nga murgeshat e reja të jenë në nivelin që është ajo”, tha Shegushe Bebeti, aktore, producente.

“Regjisori Donard Hasani ka këmbëngulur shumë që ne të nxjerrim në vend të parë marrëdhënien njerëzore, si ndikohet kjo marrëdhënie nga thashethemi, nga dyshimi, nga pasiguria, nga konservatorizmi, më shumë sesa anën kishtare. Autori e ka vendosur në një besim fetar, në një shkollë fetare, sepse dihet që feja është shumë strikte dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja”, tha më tej ajo.

“Dyshimi” do të shfaqet edhe mbrëmjen e së dielës në skenën e Universitetit të Arteve.

Top Channel