“Zoja” kthehet në shtëpi

25/04/2017 00:00

Pas restaurimit, rikthehet në gjendje optimale në shtëpinë e saj vepra “Zoja e Shkodrës”, falë punës së bërë nga ekspertë të Institutit “Palazzo Spinelli” në Firence.

“Në cilësinë e të dërguarit special të Papa Françeskut është kënaqësi të jem në prezantimin e restaurimit të ‘Zojës së Shkodrës’. Populli shqiptar, një popull me tradita e ndër më të lashtët në Europë, por gjithmonë i ri, ka ofruar një shembull për Europën e botën, ku pavarësisht përkatësive të ndryshme fetare jetojnë në paqe, unitet e solidaritet me një ndjenjë unike kombëtare”, tha Franc Rode, kardinal përfaqësues i Selisë së Shenjtë.

Piktura në telajo “Zoja e Shkodrës”, për të cilin nuk ka të dhëna për vendin e origjinës dhe se nga cili autor është punuar, mendohet të jetë një pikturë e krijuar në shek XIX dhuruar Katedrales.

“Gjithçka nisi në shtator të vitit 2015. Ndeshëm me një pikturë madone, ku ishin varur ngjyrat. Marrëveshja me ‘Palazzo Spinelli’ ishte një mundësi e shkëlqyer. Jemi mahnitur nga kujdesi dhe cilësia e punimit”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

“Puna e përbashkët duke restauruar Zojën, na ofron një mundësi për të rigjetur pranë muzeut dioqezan kujtesën kolektive të pajtores mes nesh”, tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Presidenti i Insitutit “Palazzo Spinelli” në Firence u shpreh se ka qenë një punë tepër e vështirë restaurimi, por se ekspertët arritën ta kthejnë në identitet veprën e restauruar, e cila u prezantua në fund të aktivitetit.

Top Channel