Një nga tribunat më të rëndësishme të mendimit kulturor, politik e shoqëror për shqiptarët e fundshekullit të ‘19 e fillimshekullit të ‘20, shënon 120-vjetorin e themelimimit.

Revista “Albania”, nën themelimin e Faik Konicës u bë shpejt një organ i rëndësishëm për shtypin shqiptar, një pasaportë që i prezantonte Europës në gjuhën shqipe e frënge një komb të qytetëruar, një periodik përparimtar për mendimet e frymën që përcillte, që mbetet i tillë edhe nëse e krahason me shypin e sotëm, 120 vite pas.
 
“Edhe pse shpeshherë, vetë autori nuk binte dakord me ato që shkruanin, ai ndiqte një rregull tjetër duke respektuar të gjitha opinionet e mundshme e duke bërë të mundur që shpeshherë çështje të mëdha të shqiptarëve që mund të ishin të parakohshme në debate, në mendimin politik e kulturor të shqiptarëve, të gjenin trajtim të drejtpërdrejtë”, thotë Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Historiani e studiuesi Dorian Koçi thotë se mbetet ende shumë për t’u zbuluar nga figura e Konicës, duke e quajtur stilin e tij një shkollë.

“Kjo lloj shkolle që ai krijoi nëse mund të quhet “filozofi koniciane” që për hir të së vërtetës nuk është studiuar në Shqipëri, unë shpresoj që shkencat tona shoqërore ta zbërthejnë gjithë kontekstin filozofik, psikologjik, letrar të kësaj figure do të bënte të mundur që të nxirrte në një dritë tjetër, në një këndvështrim tjetër, rrugëtimin e identitetit tonë kombëtar, identiteteve tona fetare apo edhe të fitimit të Pavarësisë së Shqipërisë”, thotë ai.

Top Channel