Binjakëzohen shkollat “Odhise Paskali” e Pejës dhe “Jordan Misja” e Tiranës

05/04/2017 00:00

Dy shkolla arti në dy shtete të ndryshme që janë kaq pranë njëri-tjetrit si Kosova dhe Shqipëria nuk ishin takuar në shkëmbime artistike më herët.

“Odhise Paskali” në Pejë dhe “Jordan Misja” në Tiranë e çelën binjakëzimin nëpërmjet një ekspozite të përbashkët, e cila aktualisht qëndron për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.

“Ne nuk kishim një lidhje më të ngushtë. Atëherë vendosëm që një grup pedagogësh dhe nxënësish tanë, ta shikonin më nga afër gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe formimin profesional artistik në Kosovë”, u shpreh Hermon Madhi, piktor.

Në këtë ekspozitë nuk ka një ndarje mes punëve të pedagogëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Ajo shkrihet si një e tërë dhe gjuha e komunikimit është e njëjtë. Pavarësisht se konteksti social, apo edhe ai gjeografik janë të ndryshëm.

“Në fakt kishte më tepër kuriozitet për të parë mënga afër jo vetëm cilësinë e shkollës por edhe pedagogët, sepse ish-Jugosllavia kishte elementë ndryshe nga Shqipëria para 90-s. Megjithatë ka linje të përbashkëta të një kulture mesdhetare”, thotë Hermon Madhi.

Linjat mesdhetare vihet re sidomos tek kolori i gjallë. Këto piktura vijnë simpatike dhe gjuha e shprehjes është e tillë. Duke lënë pas dramat që shpesh në art shqiptarët e Kosovës i kanë sidomos në të shkruar dhe teatër.

Ekspozita e përbashkët e 26 mësuesve, me zhanre si piktura, vizatimi, akuareli, mozaiku, apo skulptura, do të qendrojë e hapur deri në 10 prill.

Top Channel