Nga TOB në La Scala; Enkelejda Kamani, fituese e akademisë

01/04/2017 00:00

Enkelejda Kamani është fituese e Akademisë së Teatrit të Skalës. 25 vjeçarja premton për një të ardhme të ndritur në skenat ndërkombëtare, por në ndryshim nga yjet e tjerë shqiptare që po vlerësohen maksimalisht ajo e ka nisur në një skenë shqiptare dhe ka marrë eksperiencën e këtushme për të qenë e para mes gjashtë fituesve të konkursit që zgjati dy vjet.

“Ishte pikërisht momenti i duhur. Falenderoj shumë TOB sepse më ka ndihmuar t rritem sepse më ka ndihmuar që të rritem, për të qenë e sigurt në këtë hap të rëndësishëm”, shprehet ajo.

Enkelejda iu nënshtrua një konkursi që kërkonte një nivel të lartë vokal, muzikor, teatror dhe kulturor.

“Soprano ka gjithmonë, pafund. Juria ishte me të vërtetë shumë e rëndësishme. Drejtohet nga drejtori artistik i La Scala” thotë Enkelejda.

Se çfarë e bëri atë fituese mes gjithë pjesëmarrësve është një pyetje që ja bën edhe vetes, por e sigurt që eksperienca e saj është shumë e pasur për moshën.

“Këndova edhe arie që janë më pranë meje edhe si natyrë, edhe si vokal dhe ishin arma ime e fortë për të shprehur atë që unë ndjeja. Kjo ishte një pjesë dhe pjesa tjetër ishte eksperienca që më ka mundësuar TOB”, thekson ajo.

Solistja e re e TOB, nuk di si do të quhet nesër. Ajo me modesti thotë se do të jetë një këngëtare e mirë. Por eksperienca në La Scala ka gjasa ta shndërrojë atë në yll që spikat.

Top Channel