Ai është një kontrabast i patalentuar, që e urren instrumentin e tij dhe bashkë me të edhe frustrimin që i dikton shoqëria, pafuqinë e tij për të ndjekur zemrën apo jetën e skllavëruar pas frakut në fund të orkestrës.

“Kontrabasi” është vepra bashkëkohore e gjermanit Patrick Suskind, i njohur ndërkombëtarisht si autori i “Parfumi”-t.

Kjo monodramë vjen premierë në Teatrin e Metropilit me regji të Stefan Çapalikut nën interpretimin e Pjerin Vlashit.

“Kontrabasi është makthi i tij. Ai se duron dot këtë instrument që i duket i shëmtuar, por s’duron dot as faktin që s’ka mundur të jetë kurrë i lirë dhe të ndjekë zemrën, duke qëndruar i robëruar pas një vegle të shëmtuar, që i ngjan me një grua të dhjamosur”, thotë aktori Pjerin Vlashi.

“Nga pikëpamja regjisoriale vepra do të kete thyerje, jo vetëm një monolog të aktori për më shumë se një ore në skenë”, shpjegon regjisori Stefan Çapaliku.

Me një skenografi të thjeshtë, të përberë nga një kontrabas dhe kollare gjithë ngjyra, të vetmet që i japin arratisjen nga rutina e tij kontrabasistit.

Kështu do të vijë monologu i një njeriu të butë dhe të frustuar premierë duke filluar nga 24 marsi. Ky tekst u vu në skenë në shumicën e teatrove gjermanishtfolëse dhe vetëm në sezonin e viteve 1984 – 1985 u luajt më shumë se 500 herë. Në Shqipëri vjen me kontributin e Institutit Gëte.

Top Channel