Operohet Emiljano Shullazi, 3 orë me forcat speciale në sallë

10/03/2017 00:00

Emiljano Shullazi është operuar të premten në Spitalin Amerikan, në Tiranë. Pas disa vizitash që ai kishte kryer kohët e fundit, mjekët vendosën për ndërhyrjen në organet tretëse dhe konkretisht në zorrën e trashë.

Operacioni mësohet se ka zgjatur tre orë, ndërsa burimet nga Spitali Amerikan i thanë Top Channel se godina ka qenë e blinduar. Madje sipas burimeve, policët dhe forcat speciale kanë qenë edhe prezentë në sallën e operacionit, teksa Shullazi i nënshtrohej ndërhyrjes.

Gjithsesi mësohet se operacioni nuk është përfundimtar, pasi priten edhe rezultatet e biopsisë për të mësuar më tej se për çfarë bëhet fjalë.

Ndërkohë më herët, gjatë ditës, Gjykata e Krimeve të Rënda mundi që të marrë dëshminë e Ylvi Beqajt, dëshmitarit të mbrojtur në çështjen Shullazi.

Pas 20 seancave të dështuara, marrja e dëshmisë së tij u zhvillua pa praninë e të dyshuarit Emiljano Shullazi, i cili një ditë më parë ishte shtruar në spitalin amerikan pas problemeve shëndetësore dhe vlerësimit të mjekëve për ndërhyrje kirurgjikale.

Për shkak se avokatët e Gilmando Danit dhe të Emiliano Shullazit kanë shfaqur pretendime për figurën e dëshmitarit të mbrojtur, ata kanë braktisur shumicën e seancave, çka detyroi gjykatën të vihej në kërkim të avokatëve të caktuar kryesisht.

Në seancën  e radhës, avokatja e caktuar kryesisht nga shteti, Valentina Teodoresku ka pranuar të përfaqësojë interesat e të pandehurve, duke bërë të mundur që Ylvi Beqja të dëgjohej.

Por dëshmia e tij deri në fund do të vijojë të hënën, pasi avokatja u desh të largohej për një tjetër proces gjyqësor.

Top Channel