Dita e Verës; Elbasani bëhet gati

10/03/2017 00:00

Elbasani ka nisur aktivitetet e përvitshme me rastin e festës tradicionale të “Ditës së Verës”. Shënon vitin e tij të 20 hapja e panairit tregtar të cilin bizneset e zgjedhin për t’u prezantuar para mijëra vizitorëve që festojnë Ditën e Verës në Elbasan.

“Stendat janë duke u sistemuar. Shpresojmë se qytetarët e Elbasanit, biznesi elbasanas, biznesi i huaj, të gjithë vizitorët të kenë mundësi që jo vetëm të shesin, por edhe të shkëmbejnë eksperienca. Pse jo edhe të lidhin kontrata për produktet e tyre”, u shpreh kreu i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.

Bashkia e Elbasanit për herë të parë këtë vit ka organizuar Panairin e Zejeve në të cilin prezantohen punimet artizanale të zonave të ndryshme.

“Kishim shumë kohë që e kërkonim të hapej panairi në Elbasan. Më në fund ia arritëm, për të evidentuar njerëzit që merren me zejtari, me punë artistike. Mund të jetë edhe një impakt për të punësuar nesër njerëz”, shprehet Drejtor i Muzeut Etnografik,  Kreshnik Belegu.

Edhe pjesëmarrësit në këtë Panair e kanë vlerësuar idenë e hapjes së tij për të sjellë pranë qytetarëve traditat e çdo zone.

Për herë të parë këtë vit në Elbasan është hapur edhe Panairi i Librit. Kulmin e aktiviteteve për ditën e verës në këtë qytet e shënon koncerti i madh i 13 Marsit për të vijuar më pas me organizimet e 14 Marsit.

Top Channel