Poetët e ekzekutuar dhe ekspertiza e Diana Çulit

09/03/2017 00:00

Poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u ekzekutuan nga regjimi komunist në verën e 1977-s. Pas ekzekutimit u hodhën në një gropë si të dënuar nga një seri akuzash si “agjitacion propagandë kundër pushtetit popullor” dhe për “sabotim të ekonomisë socialiste.

Dosjet e tyre përmbajnë akuza të shumta të ngritura nga regjimi për të justifikuar aktin makabër të vrasjes së dy poetëve. Në dosjet e komunizmit në zyrat e ish-Partisë së Punës në Librazhd shkruhet se ishin të aktivizuar në propaganda kundër pushtetit popullor që prej vitit 1968 e më pas kishin sabotuar ekonominë prej vitit 1973 deri në gusht të vitit kur u arrestuan, 1976.

Dega e Punëve të Brendshme në Librazhd kishte nisur dy muaj më herët një çështje penale ndaj një grupi që akuzohej për përvetësim të pronës socialiste në kooperativën e Breshistës. Hetimet nxorrën nën akuzë 9 persona, mes të cilëve edhe Vilsoni dhe Genci.

Atyre iu kontrollua çdo detaj, edhe krijimet poetike, mes të cilave edhe ato që Diana Çuli me kërkesë të drejtuesit të Punëve të Brendshme në Librazhd, bëri ekspertizën letrare të poezive të Lekës, duke hartuar një akt-ekspertim që pastaj rezulton të jetë përdorur dhe cituar në gjyqin kundër Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në 1997.

Në materialin e hartuar prej saj, Çuli ndër të tjera shkruante:

“Siç shikohet nga vjershat apo nga vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpreh dëshpërim. Kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkon me alegori, gjë që tregon se ka një tronditje të theksuar ideologjike, ose autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”.

OXHAKU

Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…

Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane.
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!

Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…

E, sa gjurma mbetën kësaj ane
(E, sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rrodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…

Bora prap mbulon tokën e gjërë,
Prap natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…

GENC LEKA – 4.12.1965

Top Channel