“Muhamed Ali” në Tiranë

28/02/2017 00:00

Një rrotë si metaforë e udhës dhe e shtegtimit, pastaj një biçikletë që do të kërkojë hapësira të pashkelura. Një aktor në skenën e një teatri dhome duke luajtur një monodramë.

Kjo është panorama e parë e shfaqjes “Muhamed Ali”, një dramë psikologjike që rreshtohet ndërmjet një teatri akrobatik, ndërsa aktori Ermal Sadiku përthyhet brenda një rrethane absurdi, zhanër ky i sjellë në thuajse të gjitha shfaqjet e regjisorit Naser Shatrolli.

“Muhamed Ali është një metaforë në një kontekst të kohës që jetojmë sot, ndërlidhet me famën, peshën e këtij emri, kontekstin e forcës dhe shqiptarët që po shkojnë nëpër vende që rrezikojnë jetën e të tjerëve”, thotë regjisori.

Subjekti kësaj monodrame këmbëngul në kërkimin e intimitetit dhe ëndrrës së humbur, por fokusi i saj nuk është një. Publiku gjen aty edhe elementë terrorizmi, edhe zgjedhjen metaforike lindje-perëndim, por edhe një gjysmë fundi të lumtur si një terapi për t’u larguar nga emocionet e këqija.

“Fati i një të riu që kërkon identitetin e vet, kërkon rrugën e vet. Edhe pse është i lirë, sërish nuk është i lirë për të kaluar ato urat e tij, vizionet e tij, qëllimet, mesazhet që ka për vetveten”, deklaron regjisori Shatrolli.

Premiera vjen në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga data 3 mars, ndërsa për publikun shkodran do të shkojë në datën 5 mars në teatrin “Migjeni”.

Top Channel