Kryeveprat e artit italian të viteve 1900, të ekspozuara që prej 15 janarit në Galerinë Kombëtare të Arteve, vizitohen çdo ditë nga nxënës, studentë dhe grupe të organizuara.

Në çdo orë të paradites, gjatë ditëve të javës sheh grupe nxënësish të udhëhequr nga mësuesit e tyre, jo për tu mësuar diçka mbi artin e viteve 1900, të cilin ata për shkak të moshës edhe nuk munden ta kuptojnë, por për të krijuar kontaktin e parë me artin. Veç nxënësve, ka edhe artdashës, të cilët kanë kthyer në kulturë të fundjavës vizitën në këtë ekspozitë.

Megi Myrtollari, koordinatore e ekpozitës “Kryeveprat”, shprehet: “Zakonisht, paradite vijnë grupet e shkollave. Ata që duan ta shijojnë në mënyrë më intime artin, preferojnë që të vijnë më tepër pasdite, ndërsa fundjava është më e qetë nga grupet e shkollave. Fundjava më tepër frekuentohet nga familjarët”.

Dëshira për të parë artin italian të viteve 1900 shkon përtej Tiranës.

“Përveç një fushate që është bërë nëpër të gjitha shkollat, jo vetëm të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera, ka edhe nga ata mësues që thjesht kanë ardhur vetë, e kanë vizituar, u ka pëlqyer dhe kanë dashur të sjellin nxënësit e tyre. Ka pasur interes edhe nga rrethet. Shkodra dhe Korça janë rrethet që kanë ardhur më shumë, duke qenë se këto dy qytete bëjnë dhe italisht si gjuhë të dytë në shkollë. Me ta kemi funksionuar me guidë në italisht, kuptohet për gjimnazistët dhe klasat e nënta, që kuptojnë më shumë”, shpjegon Myrtollari.

Kryeveprat e 1900-es vizitohen cdo dite nga ora 10-20 ne Galerinë Kombëtare të Arteve, deri në datën 2 prill.

Top Channel