Qendër e re kulturore për fëmijët

18/01/2017 00:00

Prej pak ditësh fëmijët në kryeqyet kanë një qendër të re kulturore. Nga qendra e vjetër, ku vogëlushët hidhnin hapat e para drejt artit në kushte të vështira, nuk ka mbetur asnjë gjurmë.

Vendin e mykut, lagështisë dhe ajrit të ftohtë, tani e ka zënë një ambient i ngrohtë e bashkëkohor, me salla të dedikuara për çdo kurs, me dhoma zhveshjeje e madje edhe sinjalistikë të detajuar.

“Ka qenë një nismë e imja që në fillim që qendra të kthehej, sidomos për fëmijë, sepse kemi ato kujtimet e ruajtura të Pallatit të Pionerëve, sepse në këto kushte do të thoja jashtë çdo norme, jashtë çdo standardi. Tani u mbyll ajo epokë dhe ne jemi krenarë që u sollëm fëmijëve shtëpinë e re të artit”, thotë Monika Lubonja, drejtore e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë.

Qendra e re Kulturore është pozicionuar pranë zonës së Kinostudios, por kjo nuk do t’i pengojë vogëlushët ta frekuentojnë. Në dispozicion të tyre do të ketë shumë shpejt mjete transporti.

“Ka edhe fëmijë që janë trembur, sidomos prindërit që janë larg, do t’u thojë që ne po marrim një nismë tjetër bashkë me Ministrinë e Kulturës do të ofrojmë autobusët e parë për fëmijët. Pra, që do të jenë në dispozicion për t’i çuar dhe marrë në një pikë të afërt me qendrën e Tiranës”, thotë Lubonja.

Kundrejt një vlere minimale prej vetëm 1.500 lekësh në vit, çdo fëmijë  mund të ndjekë një kurs në pikturë, skulpturë, muzikë, balet apo aktrim. Dijenitë e marra, fëmijët do t’i shfaqin në organzimin të ndryshme të kësaj qendre.

Top Channel