Në Teatrin e Metropolit duke filluar që prej muajit mars do të këtë një thirrje të hapur për vënien në skenë të veprave shqiptare të Arkivës. Ende nuk ka një përzgjedhje në detaje nga bordi prej 30 vetash në këtë teatër, por lajmërohet që do të ketë një festival kushtuar këtyrë veprave në fillmvjeshtë.

“Në mars do të ketë një thirrje të hapur për vepra shqiptare të arkivës. Do të thotë për vepra që nuk janë të reja, por që janë vepra historike, jo thjesht që kanë të bëjnë me tema historike, por që i përkasin historisë së dramaturgjisë shqiptare e jo thjesht të periudhës së realizimit socialist, por përtej”, thotë drejtorja e Qendrës Kulturore Tirana, Teatri Metropol, Jondia Beqo.

Drama shqipe e arkivit ka dalë për disa arsye për skenë, për faktin se ka qenë e kontestuar, nuk ka parë dritën e skenës në atë kohë, apo i është dashur t’i hiqet pluhuri. Përgjatë sezonit të shkuar pranë këtij institucioni pati vënien në skenë “Tri dhëndurët” dhe “Njollat e Murme”.

“Ka vepra të shkruara që kanë qenë vetëm një herë në skenë dhe pastaj janë të fjetura. Dhe nëse do ta lidhnim me Konicën, dikur e pyesnin; Faik Bej, përse nuk shkruan? Unë shkruaj, thoshte ai, por s’ka kush më këndon”, shprehet regjisorja Sonila Kapidani.

Megjithatë pse ky kërkim në arkiva kur dramaturgët e rinj kërkojnë të jenë në skenë me vepra të reja, sipas Kapidanit kjo lidhet me nje problem të kahershëm të dramës shqipe.

“Një gjë që e ka dramaturgjia shqiptare si problematikë është veprimi me fjalën dhe besoj që për dramaturgët që shkruajnë sot, ky është fati i tyre për ta bërë këtë gjuhë të shkruar më vepruese, për ta kthyer në gjuhë dramatike. Por dramaturgjinë e kemi edhe sot dhe është dramaturgji e mirë”, shton regjisorja Kapidani.

Por ende dramaturgët e rinj vijojnë të kërkojnë hapësirë në skena për tekstet e tyre.

Top Channel