Drama satirike “Qejfharami” vjen premiere këtë fundjave në arenën e Cirkut Kombëtar.

Një teatër në cirk, sepse pjesa mbështetet mbi parimet e Teatrit Polifonik, duke sjellë veç interpretimit teatror edhe gjeste e lëvizje skenike. Në qendër është figura e Edipit, që del jashtë kontureve të veta duke ardhur më modern e aktual, e kësisoj i ç’mitizuar.

“Edipi është një figurë komplekse që është trajtuar brenda tragjedisë së tij, nuk është para ana njerëzore, frika, paranojat, që janë pjesë e një njeriu që ka pushtet, e një njeriu që populli e njeh si të fuqishëm, por që brenda tij ekzistojnë pikërisht këto frikëra”, shprehet regjisori Armand Bora.

“Në fillim ishte e vështirë dhe më vinte edhe të qeshja. Duke e sjellë në kujtesë tekstin, në të njëjtën kohë me lëvizjen deri sa ato u bënë një dhe u shkrinë me njëra-tjetrën është dashur goxha punë”, thotë Shegushe Bebeti, aktore.

Sipas ligjit të “Qejfharamit”, në një mbretëri ku të gjithë meshkujt janë të prekur nga murtaja, e vetmja zgjidhje për trashëgimtarë mbetet marrëdhënia e të gjitha femrave me Edipin, si i vetmi mashkull i painfektuar e që kërkon që gjithçka të sillet rrotull tij. Një pjesë që i flet shumë realitetit shqiptar.

“Ka elementë që i flasin personazheve konkrete të politikës shqiptare, edhe pse nuk ka qenë ky synimi, ato dolën në mënyrë të rastësishme. Kjo tregon se në njëfarë mënyre raportet e pushtetit me popullin janë njësoj në të gjitha kohët e në të gjitha vendet”, shprehet Armand Bora.

Kostumet e “Qejfharamit” janë punuar nga Anila Zajmi, ndërsa në skenë interpretojnë Aleks Seitaj, Edvin Mustafa, Anila Muça, Suela Bako në dramën satirike që do të shfaqet deri në fund të këtij viti.

Top Channel