“Opera për tri groshë”

07/12/2016 00:00

Në ndryshim nga “Opera për lypsarë”, një komedi pa muzikë, një histori gangsterësh dhe prostitutash spiune, komisarësh policie apo bosash mafiozë, që martohen me vajzat e rivalëve të tyre.

“Opera për tri groshë”, një nga kryeveprat e një ndër shkrimtarëve, eseistëve dhe poetëve më të famshëm të Letërsisë Çeke, Vaclav Havel, do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar që prej 9 dhjetorit, nën regjinë e Mehmet Xhelilit.

“Është një histori mjaft interesante, shumë zbavitëse, por në të njëjtën kohë mjaft e mprehtë sa i përket mesazheve të fuqishme që ajo sjell, aktualitetit tronditës të saj”, tha regjisori Mehmet Xhelili.

E shkruar për herë të parë në 1972-shin, nën tutelën e kampit socialist, te kjo vepër gjejmë edhe sot elementë aktualë.

“Është edhe një vepër, me të cilën unë kam një afërsi të veçantë. Një vepër që për vite të tëra ka fjetur në ëndrrat e mia krijuese”, tha më tej Mehmet Xhelili.

Vepra ka një gamë të gjerë aktorësh, si Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Rajmonda Bulku etj.

“Lista që bëhen e ribëhen pafund, derisa arrita më në fund te një ansambël aktorësh, me të cilin mendoj se nuk kam gabuar”, u shpreh Xhelili.

Regjisori thekson se ka përzgjedhur disa pjesë, që e bëjnë më dinamike shfaqjen dhe të përtypshme nga një gamë e gjerë publiku.

Top Channel