“Dhuroni libra”, nisma e bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës

07/12/2016 00:00

Dikur ishin vendi ku të rinjtë shpenzonin më shumë kohë, ndërsa sot një pjesë e tyre as nuk e dinë që kanë një bibliotekë në lagjjen e tyre. Për të rijetëzuar këto biblioteka, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës kanë nisur një projekt, i cili do të përfshijë një restaurim të godinave nga ana e Bashkisë dhe furnizim me së paku 200 tituj të rinj në vit nga Ministria e Kulturës.

Projekti nisi nga Biblioteka numër 9, pasi është biblioteka më e madhe në Tiranë me 750 anëtarë, si edhe vendi ku duket se ministrja e Kulturës ka shfletuar librat e saj të parë.

“Nuk mund të merremi me librin si produkt nëse nuk merremi me atë që e konsumon librin, pra me lexuesin. Po nuk pati lexues, libri vdes dhe kur themi vdes libri, nuk do të ketë as autorë, as përkthyes, ndaj kjo është arsyeja që e gjykuam të krijonim një program të dedikuar për bibliotekat. Kjo bibliotekë këtu është edhe biblioteka e fëmijërisë sime në të cilën kam ardhur kur kam qënë e vogël dhe pothuajse e kisha harruar ekzistencën e madje nuk e dija që ekzistonte para se të nisja punën për bibliotekat me Erjonin”, tha Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës.

“Gjithmonë kemi një pyetje: Cilat janë kombet që ecin përpara: Kombet që kanë, apo ato që dinë? Unë besoj se historia sa herë që i është bërë kjo pyetje, i është përgjigjur vetëm në një mënyrë: përpara ecin kombet që dinë. Ajo që ke, një ditë mbaron. Kam parë në këtë qytet se si avancojnë fëmijët që kanë më shumë libra se sa ata që kanë më shumë i Pad-e. Dhuroni libra për fëmijët tuaj! Është paja më e mirë që mund t’i lini një gjenerate tjetër që ne kemi nevojë të jetë qytetarët e ardhshëm të këtij vendi”, tha Erion Veliaj, kreu i bashkisë së Tiranës.

Ministrja e Kulturës shtoi se projekti i rijetëzimit të bibliotekave do të shtrihet në vitet e ardhshme edhe në bibliotekat e rretheve.

Top Channel