Një muze virtual kryesisht për prezantimin e flamurëve, por që bashkë me to prezanton edhe simbolika të tjera të lidhura me flamurin kombëtar, ka marrë jetë që prej 28 nëntorit. Iniciativa vjen nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë dhe 200 anëtarët e saj.

“Për momentin kemi 40 flamuj. Kuptohet që po punojmë për të shtuar fondet që lidhen me këtë muze, fondin etnografik të këtij muzeu, pasi flamuri është qëndisur edhe në qilima, rrugica, veshje etj”, shprehet Shpëtim Sala, kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve.

Simboli i shqiponjës është përdorur gjerësisht në vitet ’30 edhe në zbukurimin e pjekjes së bukës.
 
“Këto quhen meshanike, mblata buke i quajnë disa. Para Pashkëve i ngjishnin në brumin e bukës dhe pas pjekjes shqiponja dilte në pah. Kryesisht i përdorte jugu i Shqipërisë”, thotë Sala.

Objektet e veçanta të këtij muzeu vijnë edhe nga bashkatdhetarët përtej oqeanit.

“2 faqoret që kemi janë njëra e vitit 1930, tjetra e vitit 1934 dhe kanë simbolik edhe floreale, por dy simbolet kryesore janë flamuri shqiptar e ai amerikan. Në vend të tapës u janë vënë gjela prej druri për t’u bërë sa më dekorative dhe procesi i mbushjes së gotës të ishte sa më i bukur, sa më funksional, sa më i veçantë”.

Top Channel