“Panama Papers”, Putin flet për herë të parë: Rusia nuk manipulohet

14/04/2016 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë intervistën e tij të parë pas skandalit të “Panama Papers”, të cilin e konsideroi si një aferë të qëllimshme për të provokuar situatën në Rusi.

“Informacioni është i besueshëm. Duke gjykuar nga stili i tij dhe faktet që përmban, unë kam përshtypjen se ai është përgatitur jo nga media, por nga avokatët. Në fakt ata nuk akuzojnë askënd e asgjë konkretisht, ata thjesht turbullojnë ujërat. Ajo që ka rëndësi është se, vendi ynë nuk mund të manipulohet”, tha Vladimir Putin.

Sa i përket çështjes delikate të Sirisë, Putin tha se Damasku duhet të zhvillojë bisedime politike, të miratojë një Kushtetutë të re dhe, pas këtyre hapave – tha ai, – të zhvillojë zgjedhje.

“Pas tërheqjes së trupave tanë, ushtria siriane po dëshmon se është e aftë të marrë nën kontroll disa pika strategjike, ndër të cilat qytetin e rëndësishëm të Palmirës”, tha më tej Putin.

Terrorizmin, shefi i Kremlinit e konsideroi si një kërcënim global. Më tej, ai nuk e kurseu ironinë për Presidentin amerikan Barack Obama.

“Obama, kur ishte ende senator i thjeshtë kritikoi veprimet e administratës së atëhershme për veprimet e tyre në Irak. Por, për fat të keq, kur u bë vet president, zbatoi ato që i konsideronte si gabime. Kjo tregon se kolegu im ka guximin për të bërë deklarata të tilla, por jo të gjithë mund ta bëjnë këtë”, deklaroi Putin.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve të tensionuara me Ankaranë, Vladimir Putin tha se nuk ka asgjë me popullin turk, por problemi çalon me politikanët e Turqisë, tha ai.

Top Channel